Gjykata e Tiranës cakton masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për 30 vjeçaren që braktisi foshnjën e saj në një bodrum në Yzberisht.
Vendimi është marrë ditën e sotme, e ndërsa avokati i saj mbrojtës ka kërkuar kryerjen e një akt ekspertimi psikik, për të vlerësuar gjendjen mendore të saj. Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg”, mirëpo Gjykata nuk pranoi këtë kërkesë duke e lënë në shtëpi.
Para gjykatës Nëna Egljanta Isufi, banuese në Tiranë ka deklaruar se lajmin e trishtë se foshnja të cilën e braktisi në bodrumin e një pallati në Yzberisht, kishte ndërruar jetë e ka mësuar në gjykatë.
Ajo ka deklaruar se punon në një fabrikë këpucësh dhe se i dashuri i saj e ka braktisur dhe nuk është interesuar për të pasi ka mbetur shtatzënë.
‘’Më kapën dhimbjet dhe shkova te garazhi. Fëmijën nuk e mbaja dot sepse kisha presionin e familjarëve që nuk e pranonin pasi unë nuk isha e martuar’’- ka deklaruar 30 vjeçarja, Egljanta Isufi.
Ndërkohë e ëma kur është pyetur ka deklaruar se nuk kishte dijeni se vajza ishte shtatëzënë pasi mbante veshur rroba të gjëra.
Gjithashtu edhe i dashuri i Egljanta Isufi është marrë në pyetje, por nuk ka pranuar që fëmija ishte i tij.
Foshnja që u gjet e braktisur në bodrumin e një pallati në zonën e Yzberishtit, pak pasi kishte ardhur në jetë, nuk mundi të mbijetonte.