Reshjet e shiut nuk do të jenë problematike këtë javë për pjesën më të madhe të territorit. Përjashtim do të bëjë dita e mërkurë, ku pritet të ketë reshje, të cilat më të theksuara do të jenë në veri të vendit, megjithatë kjo pritet të jetë e përkohshme pasi e enjtja dhe e premtja do të sjellin përmirësim të kushteve të motit.
Sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” ka treguar se temperaturat do të shënojnë një rritje krahasuar me vlerat normale të Nëntorit me 3 gradë teksa shton se pritet të shkojnë 23 apo 24 gradë Celsius. Përjashtim do të bëjë vetëm dita e mërkurë për shkak të mungesës së rrezatimit diellor, temperaturat maksimale pritet të jenë 19 apo 20 gradë Celsius.
Lajda Porja: Kjo do të jetë një javë disi më e qetë, krahasuar me javën e kaluar. Ka nisur me mot të kthjellët, vranësira të shpeshta. Në zonat jugore, sot do të ketë reshje, megjithatë reshjet do të jenë të pakta dhe jo problematike. E nesërmja, e marta, do të jetë me mot të qëndrueshëm. Kthjellimet do të jenë prezente në pjesën më të madhe të territorit. Edhe pse do të kemi vranësira të herëpashershme, të martën nuk do të ketë reshje. E mërkura do të ketë reshje, do të ketë një sistem frontal, i cili do të jetë kalimtar, ku rrebeshet do të jenë në një pjesë të mirë të territorit, edhe pse më të theksuara do të jenë në veri të vendit. Më pak reshje do të ketë qendra dhe jugu. Ky sistem vranësirash është i përkohshëm pasi e enjtja dhe e premtja do të risjellë motin e qëndrueshëm në territor, duke bërë që të kemi kthjellime, vranësira dhe reshjet do të jenë sërish gjatë ditës së shtunë.
Përsa i përket temperaturave të ajrit, gjatë këtyre ditëve, do të jetë dita e martë, e enjte dhe e premte, ku do të ketë kthjellime dhe maksimalet do të jenë 23 apo 24 gradë. Janë 3 gradë më të larta se vlerat që duhet të shënojë Nëntori. Të mërkurën, meqë do të ketë reshje, pritet të ketë rënie të temperaturave për shkak të mungesës së rrezatimit diellor, ku maksimalet do të jenë 19 apo 20 gradë. Përsa i përket kësaj jave në përgjithësi, reshjet nuk do të jenë problematike këtë javë, përjashtuar disa zona në veri ku do të ketë intensitet të mërkurën dhe pjesa tjetër do të ketë reshje të përkohshme.