Detaje të reja janë bërë publike për media nga vdekja e shqiptares në Itali.
Njoftohet se 26-vjeçare ka ndërruar jetë pasditen e sotme në një kompani të prodhimit dhe marketingut të ushqimeve të ngrira në zonën e Trevisos.
Një makinë ambalazhimi e blerë së fundmi, ku operonte Anila Grishaj, nëndrejtoreshë e kompanisë, e ka goditur atë duke i shtypur rruazat e qafës. Si shkak i dëmtimeve të rënda, e reja ka humbur jetën menjëherë. Rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes janë ende nën hetim.
Karabinierët, personeli i Shërbimit për parandalimin dhe sigurinë në vendin e punës dhe zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje. Hetimet pritet të zbulojnë shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike. Anila jetonte në Treviso me familjen e saj. Ajo përshkruhej nga kolegët e saj si një vajzë e qeshur dhe shumë punëtore.
Mediat italiane ngrenë zërin në lidhje me aksidentet në punë, pasi ky rast është i disati në një kohë të shkurtër me pasoja të rënda.