Policia italiane është në kërkim të çiftit shqiptar Emilian Bici, 43 vjeç dhe Ermelinda Spahiu, 38 vjeç, burrë e grua, të cilët janë arratisur pasi kishin dalë nga burgu në Itali me leje si pjesë e planit të riintegrimit social. Ata akuzohen për tentativë vrasjeje, pasi në 2018 kishin plagosur me thikë një person.
Sipas mediave italiane ata kanë qenë duke punuar në një fermë në de Leyva në Pesaro, por kur efektivët e policisë u kthyen për t’i marrë, ata ishin zhdukur.
Ata u arratisën të martën, duke përfituar nga puna e jashtme e cila i lejonte ata të dilnin nga burgu në orën 7 të mëngjesit dhe më pas të ktheheshin pas 8 orësh. Nga ai moment nisën kërkimet për çiftin, duke u shtrirë fillimisht në territorin e provincës, më pas në të gjithë Italinë.
Policia dhe Karabinierët kontrolluan stacionet e trenit dhe autobusëve, duke parë edhe imazhet e kamerave për të parë nëse të arratisurit kishin kaluar nëpër ndonjë pikë nisjeje.
Gjithashtu kontrolluan qelitë e tyre në kërkim të ndonjë të dhënë që mund të tregonte rrugën e arratisjes. Nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë pasur bashkëpunëtorë me të cilët janë larguar, duke pasur tashmë një destinacion të sigurt, ndoshta jashtë vendit, ku mund të shkonin për të mos u rikthyer dhe rimarrë në burg