Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prishtinë ku një 33-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, është vrarë brenda automjetit në Prishtinë.
Dyshohet se viktima, e cila është bashkëshortja e këshilltarit të Behgjet Pacollit, Naim Murseli është vrarë nga disa grabitës rreth orës 20:26 të mbrëmjes së të mërkurës (29 Tetor).
Liridona Murseli po udhëtonte me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre në rrugën Dlip Alshiq në kryeqytet kur dyshohet se një person i panjohur i ka ndaluar dhe u ka kërkuar sendet me vlerë.
Naim Murseli ka arritur të largohet nga makina me dy djemtë, ndërsa 33-vjeçarja është qëlluar për vdekje, sipas raportimeve.
“Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 – 20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje.
Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre.
Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, raporton policia e Kosovës.