Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e përdhunimit të dy vajzave në Berat, njëra prej tyre e mitur. Nëna e 16-vjeçares pretendon se vajza e saj është shtyrë për të bërë kallëzimin nga familja e të fejuarit. E ëma tregon se e bija ka qenë në një lidhje me Andon Shosharin, por janë ndarë dhe më pas është fejuar me dikë tjetër, por pretendon se familjarët e tij nuk e lejojnë të takohet me vajzën. Rudina Jashari deklaroi se dy të arrestuarit, Andon Shoshari dhe Ardin Nano, janë të mirë dhe se 20-vjeçarin, me të cilin vajza e saj ka pasur lidhje, e ka djalin e kunatës.
“Janë mashtrime, vajza ime është 16-vjeçe e kanë shtyrë të denoncojë Andon Shosharin dhe Ardit Nanon. Gënjejnë, vajza ime është shtyrë të bëjë denoncimin. Të dy djemtë janë shumë të mirë, janë djem të lagjes. Ai është djali i kunatës sime, vajza ime ka qenë në një lidhje me të para dy vitesh dhe ajo ka kryer marrëdhënie me të, nuk është problem. Pasi janë ndarë nuk kanë pasur ngacmime. E kanë shtyrë vjehrra, kunati, e burri. Ajo është e fejuar, nuk është martuar akoma. Janë gënjeshtra, presim të marrin masa sepse nuk jam e bindur. Mua smë tha asgjë, nuk më lejojnë ta takoj burri dhe familjarët e saj. I kam shkuar me polici tek shtëpia. Vajzën nuk ma sjellin tek shtëpia, unë kam për detyrë ta marr fëmijën këtu, tek shtëpia ime, të mos jetë tek vjehrra. E dua vajzën time në shtëpi, s’kam ankesa për dy djemtë janë të mirë”, tha nëna e të miturës.
Të dyshuar për ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë janë Andon Shoshari, 20-vjeç dhe Ardin Nano, 33-vjeç, të cilët janë arrestuar nga policia. Ndërkohë që pritet të bëhet e ditur zyrtarisht edhe përgjigja e ekspertizës mjeko-ligjore e kryer mbi dy vajzat.