Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur paraditen e sotme në një biznes në Tiranë.
Mësohet se një person i armatosur ka hyrë në një dyqan celularësh në rrugën “Myslym Shyri” dhe ka marrë rreth 15 celularë. Pas grabitjes autori i veshur me një xhup të kuq, kapele në kokë dhe një maskë të zezë në fytyrë është larguar me shpejtësi, ndërsa është filmuar nga kamerat e biznesit.
Policia e Tiranës fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 09.02.2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Myslym Shyri”, një person me maskë të zezë dhe me një xhup të kuq, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri pistoletë, ka marrë disa aparate celular në dyqanin e shtetasit M. F., dhe më pas është larguar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118 duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.