Një 17 vjeçar është plagosur mbrëmë me armë, në sy të prindërve të tij, në njësinë Bërdicë, në Shkodër!
Amarildo Gjergji mësohet se ka marrë vetëm një plumb ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 17-vjeçarit u plagos nga shtetasi Gent Dushku që vijon të jetë në kërkim nga policia vendore e Shkodrës.
Konflikti ka filluar mes familjes Luka dhe Gjergji që janë komshinj me njëri tjetrin. Palët kanë patur një sherr edhe më përpara lidhur me ngacmimin e një vajze.
Autori i ngjarjes, Gent Dushku i cili banon në lagjen “Xhabiej” në Shkodër është dhëndri i familjes Luka dhe ka shkuar mbrëmjen e djeshme në Bërdicë, ku ka nisur një debat me babain e të plagosurit.
Ky i fundit ka dalë me një kaçavidë në dorë dhe në ato momente dyshohet se Gent Dushku ka qëlluar me pistoletë djalin 17 vjeçar duke e lënë të plagosur i cili po ashtu ndodhej jashtë së bashku me babain e tij. Në momentin e plagosjes në rrugë ndodhej edhe nëna e shtetasit të plagosur.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet për zbardhjen e kësaj plagosje të ndodhur për motive të dobëta. Efektivët kanë sekuestruar kaçavidën dhe gëzhojën me të cilën qëlloi shtetasi Gent Dushku.
Po ashtu policia e Shkodrës është duke zhvilluar kontrolle për gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes i cili vijon që të jetë në kërkim nga uniformat blu.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 18:10, në vendin e quajtur “Harku i Berdicës”, shtetasi G. D., dyshohet se ka plagosur me armë zjarri një 17-vjeçar, banues në Bërdicë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të autorit.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.