Shefi i Departamentit të Marketingut në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, Mirdaim Axhami u arrestua këtë të shtunë nga policia.
Sipas burimeve zyrtare ai është konfliktuar dhe ka dhunuar pasditen e te premtes vartësen e tij, pedagogen Liljana Billa, duke e goditur me grusht për shkak të tezave të një provimi.
Debatet mes dy pedagogëve dyshohet të kenë nisur disa muaj më parë, kur votohej për kreun e Departamentit në Fakultetin Ekonomik, garë kjo që është fituar nga Axhami.
Nga ana tjetër, pedagogia Liljana Billa ka bërë disa herë denoncim në polici, duke e akuzuar Axhamin edhe për përndjekje, por shefi i Departamentit ka pretenduar se Billa ka probleme shëndetësore mendore.
Liljana Billa ka qenë deputete e Partisë Demokratike në vitet 2013-2017. I angazhuar politikisht në PD është edhe Mirdaim Axhami, i cili ka marrë pjesë në disa aktivitete të ish-kryeministrit Sali Berisha.