Gjykata e Fierit ka caktuar “burg pa afat” për 39 vjeçarin Xhuljano Mihon, i cili dy ditë më parë vrau me thikë 23 vjeçarin Xhimi Baka, partnerin e ish-gruas.
Në seancë autori pranoi krimin, por sipas avokatit të tij Niko Bega, thika i përkiste viktimës pasi më parë ishin zënë me grushta.Gjithashtu, 39 vjeçari pas ngjarjes ka thënë se viktima Xhimi Bakaj i shkonte herë pas here tek puna dhe i bënte karshillëk. “Gruaja më merrte në telefon dhe më thoshte se po kënaqej me të dashurin e ri, më kërkonte para për fëmijët. Edhe Xhimi më vinte te puna dhe më bënte karshillëk”,- është shprehur autori i krimit, Xhuljano Miho.
Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë në rrugën “ Ramiz Aranitasi” në qytetin e Fierit, ku pas një konflikti midis tyre, 39 vjeçari Xhuliano Miho qëlloi me thike për vdekje 23 vjeçari Xhimi Bakaj.I riu u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
Bashkëshortja e Xhuliano Mihos, autorit të krimit të rëndë ishte larguar nga shtëpia dhe bashkëjetonte me 23 vjeçarin Xhimi Bakaj, së bashku me tre fëmijët.Gruaja ishte në process divorci me Mihon, por në kushtet kur padia nuk kishte kaluar ende në fazë shqyrtimi nga Gjykata e Fierit, palët kishin pasur disa herë konflikte, aq më tepër kur në mes ishin dhe tre fëmijët.