Është zbardhur dëshmia e Klement Islamajt, i cili ditën e djeshme vrau babain e tij, pasi ky i fundit kishte masakruar për vdekje me sëpatë nënën. 41-vjeçari shprehet se e ka shtyrë të atin nga shkallët, por nuk kishte qëllim ta vriste, duke shtuar se ngjarja kishte ndodhur aksidentalisht.
Klementin Islamaj nga fshati Shalës, u arrestua ditën e djeshme për vrasjen e babait të tij Hysen Islamaj 69 vjeç, pak pasi ky i fundit i kishte vrarë me sëpatë nënën e tij 66-vjeçare Shano Islamaj.
“Vetë jam prind i dy fëmijëve dhe jam i divorcuar. Babai edhe një ditë më parë e ka dhunuar nënën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6 të mëngjesit. Isha tek lokali i fshatit po pija kafe me disa shokë. Nga shtëpia u dëgjua zhurmë dhe më thanë bashkëfshatarët të çohesha të shihja çfarë kishte ndodhur. Kur shkova gjeta nënën të vrarë në mes të shtëpisë. Babanë e shtyva që ta largoja nga vetja, por ai u pengua dhe ra. Nuk kisha qëllim ta vrisja”, është shprehur në çdo moment mes lotësh para grupit hetimor 41-vjeçari Klementin Islamaj.