“Unë jam bërë gjithsej 14 herë operim”.
Jeta për Xhemal Bardhoshin nuk ka qenë aspak e lehtë, prej 8 vitesh spitalet janë kthyer në makth për të. Brenda një viti 68 vjeçari nga Cërriku iu është nënshtruar 14 operacioneve, të gjitha në kokë, pasi u diagnostikua nga sëmundja e keqe tumorale në lëkurë.
“Pavarësisht se jam me këto fashot e mbuluara po t’i heqësh edhe t’i numërosh do thuash ore Xhemal si je gjallë edhe jep intervistë. Po e jap, vërtetë jam në gjendje të rëndë”.
Historinë e tij për Report Tv, Xhemali vendosi ta rrëfejë pasi shpërtheu skandali i Onkologjikut. 68-vjeçari ishte një prej pacientëve që kishte rënë në duart e mjekut Edmond Gashi, i cili sigurisht e kishte referuar në klinikën e tij private në Astir.
“Rrezet ka kohë, ka një vit që kërkoja ti bëja, po na thonin aparatura nuk punon, kështu që duhet të shkoni ti bëni në spital privat. Ishte e pamundur që unë të prisja aq gjatë, u detyrova pastaj. Erdha te Onkologjiku dhe u takova pa e ditur se kush ishte me Edmond Gashin. I vajta në zyrë edhe i them kështu kështu kam një problem. Edhe ai më thotë dëgjo Xhemal, kjo plagë për momentin rrezet nuk i bëhen këtu tek ne, por unë kam një klinikë private në Astir “Megis”
Në klinikën private të mjekut Gashi, tashmë me masë sigurie nga SPAK, 68 vjeçari vendos të kryejë vetëm biopsinë për të cilën pagoi 30 mijë lekë, pasi kostot ishin të papërballueshme për të nëse do kryente operacionin.
“Doktor i thash unë nuk bëhet fjalë të vij të bëhem operim tek klinika juaj, për arsye se unë jam pensionist dhe (këtu qan) nuk kam mundësi financiare”
Çmimet e kripura në klinikën e Gashit dhe pamundësitë financiare e detyruan 68 vjeçarin të kërkonte një tjetër mundësi, por edhe aty peripecitë nuk morën fund.
“U detyrova të shkoja në spital tjetër privat. Mirë m’ tha do ta lemë 900 mijë lek. Erdha pas 4-5 ditësh, e pa plagën e ke shumë mirë më tha. Dakord. Erdha herën e dytë sikur diçka po ndjeja, s’më dukej mirë. Edhe i them, doktor sikur plaga nuk është mirë. E pash që nuk i erdhi mirë, më tha ti e përcakton sesi është plaga. Erdhi java e tretë, pastaj e pranoi, po tha kemi pak problem. Edhe do bëhesh sërish operacion, por kësaj radhë nuk do të marrim 1100, por 550 mijë lek. Këtë nuk munda ta pranoja se nuk mundesha nga ana financiare”.
Pasi harxhoi të gjithë lekët që mundi të siguronte nëpër klinikat private, Xhemali u rikthehet sërish vizitave aty ku e nisi, në QSUT. Para rreth 4 muajve, iu nënshtrua operacionit të 14 nga stafi mjekësor i neurokirurgjisë dhe plastikës.
“Te Neurologjia ishte operacioni i 14 më i vështiri që kam bërë. Nuk mund të them se mbarova punë, se edhe ata më thonë që pas këtij operacioni për 1 muaj duhet të bësh patjetër rreze edhe më thanë që do të transferojmë tek spitali Onkologjik”.
Pasi operacioni shkoi gjithçka mirë, mjekët e përcjellin Xhemalin sërish në Onkologjik për t’iu nënshtruar rrezeve sipas protokollit shëndetësor, por për të moshuarin që po lufton çdo ditë me tumorin shpresa e fundit për të është vendosja në punë e brakiterapisë, që nuk u vendos kurrë në funksion që prej vitit 2021.
“Pyeta që dje për rrezet, m’ thanë o në fund të korrikut, ose nga mesi i gushtit. Mirëpo ende nuk kam besim se ka kaluar një vit që jo do vihet pas në jave, jo pas një muaji, them me veten time operacionin e 14 e kaluan, pa rreze çdo të bëj. Sepse operacion tjetër më thanë nuk të bëjmë”
Për skandalin e Onkologjikut në hetim nga Prokuroria e Posaccme janë 7 persona, të cilët presin vendimin e drejtësisë, por për Xhemalin sorollatjen dhe vuajtjen prej më shumë se një viti në dyert e spitaleve shqiptare nuk ka drejtësi që e paguan.