Milena Harito propozon përfshirjen e teknologjisë në menaxhimin e sezonit veror dhe digjitalizimin e një prej shërbimeve kryesore në zonat bregdetare, siç është ai i shezlongëve. Ish-ministrja socialiste propozon që hapësira e plazhit të kontrollohet me dron.
“10 dronë mjaftojnë për të kontrolluar në kohë reale numrin e shezlongëve versus kapacitetit të lejuar në gjithë plazhet e Shqipërisë”, shkruan ajo.Teksa shpërndan postimin e kryeministrit Edi Rama për “Shqipërinë Turistike”, ajo u sugjeron ministrave Gonxhe e Kumbaro që shezlongët të menaxhohen me rezervim online.
“Shoqëruar me një sistem të përqëndruar rezervimi online të shezlongeve i cili ka disa efekte pozitive: mbledh taksa, verifikon mbushjen e shezlongeve (do përpiqen sigurisht ta anashkalojne duke i dhënë dorazi në cash, por duke lidhur mbushjen/taksat e sezonit me numrin e shezllongëve që lejon vitin e ardhshëm ndryshon qasja krejt), turisti krahason dhe çmimet”, vijon Milena Harito.
Ish-ministrja socialiste thekson se me këtë rast as shqiptarët dhe as pushuesit e huaj që vijnë në vendin tonë, nuk qëndrojnë më 10 orë në plazh, ndaj rezervimi i shezlongëve me orare është së pari fitimprurës për bizneset dhe së dyti, hapësira publike është më e madhe, sepse vendosen aq shezlongë sa është e nevojshme.”Rezervim me orare se as të huaj e as shqiptarë nuk zdërhallen më 10 orë në plazh.
Edhe operatorët e shezllongjeve fitojnë më shumë, edhe shezllongje vendosin më pak, edhe turistët paguajnë për aq sa ju duhet”, shton ajo.Milena Harito thotë se edhe në pikun e sezonit veror, shezlongët nuk mbushen kurrë me tepër se 60% e tyre, ndaj pjesa tjetër që mbetet bosh, nëse nuk liron hapësirën publike, e shëmton atë.