Një grua po kërkohet nga policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka tentuar të rrëmbejë një fëmijë. Ngjarja ka ndodhur gjatë ditëve të fundit në një supermarket në kryeqytet.
Siç duket edhe nga pamjet e siguruara ekskluzivisht nga Klan News, ajo shikon fëmijën vetëm dhe i afrohet e më pas e merr në krahë. Pasi ndalon në një moment pranë kasës, ajo shkon drejt derës për t’u larguar. Gruaja është pikasur shpejt nga personeli i marketit që ndërhyri në kohë.
Pamjet e gruas u janë shpërndarë të gjitha strukturava të policisë për të bërë identifikimin e saj. Nga veprimet që ajo kryen, blutë nuk përjashtojnë mundësinë që të jetë me probleme të shëndetit mendor.