“Bagëti e Bujqësi” kësaj here ndaloi në zonat rurale të Përmetit, aty ku çdo derë hapet për të mirëpritur me gliko arre mikun pavarësisht vendit dhe origjinës nga vjen.
Në Përmet gazetarja, Rudina Muça gjeti dhe një grua e cila asnjëherë nuk ndaloi së ëndërruari.
Entela Çopoku, në moshën 50 vjeçare u divorcuar nga bashkëshorti i saj vetëm se ajo kërkoi të merte një kredi për të hapur punishten e saj të zahirave. Por ndryshe nga Entela e cila kërkonte të guxonte për një të ardhme ekonomike më të mirë, ai kërkoi të largohej përgjithnjë nga jeta e saj.
Pavarësisht kësaj Entela ia doli e vetme dhe sot ajo thotë se është krenare për veten dhe modelin e mirë që ofron si grua. Gruaja e zahirëve tregon se pavarësisht kësaj ngjarje ai është një baba i mirë për fëmijët.
Gazetarja, Rudina Muça: Sa vjeçe je martuar ?
Entela Çopoku: Unë jam martuar 20 vjeçe.
Gazetarja, Rudina Muça: Bashkëshorti të mbështet?
Entela Çopoku: Bashkëshorti! Jo, jam e divorcuar pre 3 vitesh.
Gazetarja, Rudina Muça: Përse çfarë ndodhi?
Entela Çopoku: Eh, për punën e kësaj punishte, që të hapësh diçka do para, unë nuk i kisha dhe i thashë do i drejtohemi bankës që të marrim një kredi, e më pas të hapim diçka tonën. Dhe ai nuk e kishte këtë guxim, më tha më mirë ti shiko punën tënde dhe unë timen, që mos të kemi debate. E kështu u divorcuam.
Gazetarja, Rudina Muça: Për një kredi u divorcuat, dhe sot ja ku jemi, ti ia dole.
Entela Çopoku: Po, unë ia dola dhe vajza ime është shumë krenare për mua.
Gazetarja, Rudina Muça: Jeni takuar më ?
Entela Çopoku: Jo, por tani që jemi bërë më një nipçe të vogël, besoj se do shihemi.
Gazetarja, Rudina Muça: Do ktheheshe më tek ai nëse do ta kërkonte?
Entela Çopoku: Jo, jo unë e kam mbyllur atë kapitull, tashmë po jetoj ëndrrën time.