Në zonën e “Astirit” në Tiranë, një ngjarje e pazakontë ka përfshirë 6 persona, 3 vajza dhe 3 djem, të cilët kishin marrë me qira dy apartamente ngjitur në një pallat përmes Airbnb.
Apartamentet ishin rezervuar nga një djalë që kishte marrëdhënie me vajzën 21-vjeçare me inicialet S.Q. Grupi kishte kaluar natën duke konsumuar pije alkoolike dhe, sipas dyshimeve, edhe lëndë narkotike. Pasditen e së enjtes, ndërsa 5 prej tyre dolën për kafe, vajza S.Q., e mbetur vetëm në apartament, u zgjua dhe pa dy armë zjarri dhe një jelek antiplumb, duke përjetuar frikë dhe paranoja.
E frikësuar, ajo kontaktoi nënën e saj, duke pretenduar se ishte dhunuar dhe po mbahej peng. Familjarët e saj lajmëruan policinë, dhe fillimisht dy efektivë shkuan në vendngjarje, por vajza nuk hapi derën nga frika. Më pas, forcat speciale FNSH dhe RENEA ndërhynë përmes dritares. Grupi i të rinjve që kishte dalë më parë u identifikua nga kamerat e sigurisë.
Në apartamente u gjetën dy armë zjarri, një jelek antiplumb, pije alkoolike dhe shenja të konsumimit të lëndëve narkotike. Në gjendje të rënduar psikologjike, vajza fillimisht deklaroi se ishte dhunuar, por më pas, pasi u qetësua, sqaroi se nuk ishte dhunuar, por ndjeu frikë për shkak të pranisë së armëve. Policia vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve.