Një tjetër tërmet, me magnitudë 5.0 të shkallës Rihter ka rënë ditën e sotme në Greqi.
Sipas mediave greke, tërmeti që është ndjerë edhe në Athinë e Atikë, ka ndodhur 20 kilometra në jug jugperëndim të Arkesinit.
Tërmeti vjen në valën e një serie tërmtesh që kanë përfshirë rajonin, ku epiqendra ka qenë ishulli i Santorinit, i cili gjatë këtyre ditëve ka shënuar shumë lëkundje.
Ndërkohë kanë nisur largimet masive nga Santorini të njerëzve nga frika e tërmeteve, të cilët kanë ‘mbërthyer’ ishullin gjatë ditëve të fundit. Një pjesë e madhe e banorëve kanë zgjedhur ta kalojnë natën në çadra.
Autoritetet në Santorini mbeten në gatishmëri dhe janë mobilizuar, pasi aktiviteti sizmik në ishullin e njohur grek mbetet i lartë, me tërmete të njëpasnjëshme.
Ndërkohë, qytetarë dhe turistë duket se kanë zgjedhur ta braktisin ishullin përmes rrugëve ajrore dhe detare dhe në portin e ishullit është vënë re mbipopullim.
Presidenti i OASP-së, Efthimis Lekkas duke folur për “Mega-n” u kërkoi njerëzve që të mos kenë panik, pasi ishulli nuk do të përjetojë një tërmet shkatërrimtar si ai i vitit 1956.
“Aktiviteti sizmik që po zhvillohet tani pranë Amorgos do të zgjasë disa ditë, duke ruajtur të njëjtat përmasa. Duhen mijëra vjet për të mbushur çarjen. Nuk do të prodhojë tërmete të mëdha. Mund të shohim magnituda jo më të mëdha se 5 e shkallës Rihter. Njerëzit të mos bëjnë panik, nuk do të ketë tërmet si ai i vitit 1956”, tha Lekkas.
Profesori i Fatkeqësive Natyrore në Universitetin Teknik të Kretës lidhur me aktivitetin e shtuar sizmik në zonat midis Santorinit dhe Amorgos tha se një nga skenarët është se aktiviteti sizmik vjen nga një vullkan nënujor.
“Një mundësi është që të jetë aktivizuar një çarje, diçka e ngjashme me atë që shkaktoi tërmetin e madh të vitit 1956. Me fjalë të tjera, një vazhdimësi e thyerjes. Ky ishte tërmeti që arriti në 7.5 ballë. Por nëse një tërmet ndodh tani, nuk mendoj se dikush e pret të jetë kaq i madh. Pra, ky është një skenar. Skenari tjetër është aktivizimi i vullkanit që ndodhet brenda kalderës së ishullit të Santorinit dhe tjetri është një vullkan nënujor i quajtur Kolumbo, i cili ndodhet pak në veri të Santorinit, afërsisht 5 dhe 8 kilometra nga maja veriore e Santorinit, pra, duke shkuar drejt Ios. Aty ndodhet vullkani nënujor i quajtur Columbo. Pra, këta janë tre skenarët dhe ndikimet e mundshme që mund të kenë. Kjo është ajo që u ekzaminua në zonë.”