I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka dëshmuar në seancën gjyqësore për dosjen “Plumbi i Artë”, ku ka rrëfyer momentin e vrasjes së kambnistit duke zbuluar bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë seancës gjyqësore, Nuredin Dumani ka rrëfyer se bashkëpunëtorë të tij ishin Dorian Shkoza, Ardian Çollaku, Gent Sharra dhe Talo Çela. Dumani është shprehur ngjarja ka ndodhur në vitin 2018 dhe se ishte ai që e qëlloi me plumb në gjoks dhe këmbë viktimën.
“Grabitja ka ndodhur në 2018. Kambistin e grabitëm, sapo falej namazi, se ishte ramazan dhe pashë njerëz që po shkonin në xhami, pranë kalasë së Elbasanit. Për fat të keq të tyre, të gjithë kambistët dolën në të njëjtin orar. Me armë kam qëllur fillimsiht unë”, tha ai gjatë seancës, ku për herë të parë u lejuan gazetarët.
Ai rrëfeu se i kanë kërkuar që të zbriste nga makina, por viktima kundërshtoi duke i thënë “më gjuaj”.
“Ardian Çollaku nuk e di a ishte pronari. Grabitjen e kryem me një mjet, ‘Opel’ i bardhë me xhama të zinj. E përplasëm diku që të prishej, e kemi bërë pas shtëpisë së Talo Çelës. Aty vendosnim xhamat e zinj. Viktima kishte ‘Benz’ me portobagazh vishnje.
Pasi ka dalë kambisti nga shtëpia, i jemi afruar afër me makinë, unë kam zbritur dhe i kam thënë ulu në tokë, ai më tha gjuaj. Ai kundërshtoi. Unë e kam qëlluar 1 ose dy herë në gjoks dhe një herë në kupën e gjurit, mesa mbaj mënd në gjurin e djathtë. Pasi morëm paratë jemi larguar. Unë kam marrë 17-20 milion lekë, të njëjtën shumë ka marrë edhe Dorian Shkoza, Ardian Çollaku, Gent Sharra dhe Talo Çela”, rrëfeu ai.