Nuredin Dumani ka bërë sërish deklarata të bujshme, në seancën e sotme për çështjen “Plumbi i Artë”.
Dumani ka zbuluar detaje të një grabitjeje të madhe që ai ka kryer, ku përfshirë në ngjarje ishin edhe individë të njohur për lidhjet me krimin, si Talo Çela dhe Gentian Sharra. Në vitin 2011, Dumani dhe një grup personash kanë realizuar një grabitje në Elbasan, duke vjedhur një sasi të madhe floriri prej mbi 8 kg. Sipas tij, grabitja ishte planifikuar me kujdes dhe ka ndodhur në një parking, ku viktima ishte një argjendar i njohur.
Në rrëfimin e tij, ai shpjegon se kanë biseduar për grabitjen në shtëpinë e Talo Çelës, e cila ndodhet pranë lokalit të Gentian Sharrës. Dumani përmend se pas realizimit të grabitjes, floriri, që përfshinte ora dhe varëse floriri, u çua në shtëpinë e Talo Çelës, ku u shpërnda. Mjeti që ata përdorën për t’u larguar nga vendngjarja ishte një “Benz 2500”.
“Kam bërë shumë grabitje, por mbaj mend grabitjen në Elbasan, te një argjendari, rreth vitit 2011. Shënjestruam pronarin. Unë s’e kisha parë më parë viktimën, por e kishte planifikuar Gentian Sharra. Unë shkova vetë në datën e ngjarjes. Gentian Sharra na tha se do ta godisnim me levë hekuri. Ishte në një parking. Planin e kishim biseduar në shtëpinë e Talo Çelës, e cila ndodhet afër lokalit të Gentian Sharrës. Shtëpia ishte dy katëshe dhe nuk kishte portë, vetëm një rrjetë.
Viktima që e grabitëm ishte trup i mbushur dhe më i gjatë se unë. Për veshjen nuk mbaj mend. Ai kishte ora dhe varëse floriri, diku rreth 8 kg e 300 gram. I morëm dhe shkuam në shtëpinë e Talo Çelës, ku i hodha në tavolinë. Mjeti që përdorëm për t’u kthyer nga grabitja ishte një Benz 2500.”- tha Dumani.
Ky rrëfim i Dumanit, si pjesë e bashkëpunimit të tij me autoritetet, ka ndihmuar në zbardhjen e aktiviteteve kriminale dhe në zbuluar lidhjet e tij me individë të tjerë të njohur në botën e krimit. Pavarësisht se ka pasur një të kaluar kriminale, ai ka kërkuar të kontribuonte në hetime dhe të merrte mundësinë për të ulur dënimin e tij.