Një shtetas 46-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi vodhi në një automjet të parkuar një çantë ku brenda saj kishte 45 milionë lekë.
Arrestimi i shtetasit Gurjan Trajani u bë pas identifikimit nga kamerat e sigurisë ku shihet se shkon pranë një makine të parkuar dhe vjedh çantën që ndodhej brenda.
“Vodhi në një automjet të parkuar një çantë brenda së cilës kishte shuma të mëdha parash në euro,dollar e lekë, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 46-vjeçari.
46-vjeçari, i dënuar disa herë për të njëjtën veprimtari kriminale.Sekuestrohen rreth 45 milionë lekë, (një pjesë në euro dhe dollarë) që ky shtetas kishte vjedhur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në automjetin e shtetases B.L, i parkuar në zonën e Medresesë, kishin vjedhur çantën brenda së cilës kishte një shumë të konsiderueshme parash(rreth 47 milion lekë, një pjesë në euro dhe dollarë), kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësi”., bazuar në inteligjencën policore dhe veprimet e shpejta profesionale dhe hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit:G. T(M)., 46 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë disa herë për vjedhje.”