Vdekja e 3-vjeçarit në Shkodër/ Drejtori i Spitalit: Rekomanduam prindërit që fëmija të shtrohej, por babai e mori në shtëpi!

Drejtori i spitalit të Shkodrës, Senad Halluni, ka reaguar lidhur me vdekjen e 3-vjeçarit, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë në spitalin e Shkodrës.

Halluni thotë se fëmija u paraqit me 21 shkurt në spital dhe pasi ka marrë mjekim i është rekomanduar që të shtrohet në spital por babai ka vendosur që ta marrë me vete.

Pastaj fëmija ka ardhur të nesërmen përsëri por ka qenë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore pothuajse pa shenja jete.
Halluni thotë se 45 minuta më pas, fëmija ndërroi jetë.

Senad Halluni: “Është paraqitur me datë 21 shkurt 3 vjeçari dhe pasi ka marrë mjekim i është rekomanduar që të shtrohet në spital por babai ka vendosur që ta marrë me vete. Pastaj ka ardhur të nesërmen përsëri por ka qenë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore pothuajse pa shenja jete. 5 reanimator dhe mjek të tjerë janë përpjekur që ta mbajnë në jetë por ka qenë e pamundur. 45 minuta më pas ndërroi jetë. 30 minuta pas tij ka ardhur motra 7 vjeçare me të vjella dhe mjekët e pediatrisë kanë vendosur që ta transportojnë në Tiranë dhe është transportuar në QSUT në repartin intensiv.

Më pas janë lajmëruar organet përkatëse për të bërë autopsinë. Fakti që me të njëjtat shenja është edhe e motra e tre vjeçarit janë angazhuar mjekët dhe toksikologët për të gjetur shkakun e kësaj ngjarje. Nëse është helmim apo virozë e stinës e vendos diagnoza dhe analiza përfundimtare.”

Greta Naraçi (shefe e pediatrisë): “Në momentin kur ka ardh fëmijë ishte në gjendje të shokut kardiak, insuficiencë kardiake tepër e rëndë dhe ishte shumë vonë për ne që të japim ndihmën e duhur. Ishte situatë e vështirë dhe ne u munduam që ta ulim në reanimacion por koha ishte shumë e shkurtër dhe nuk na la kohë për diagnozë. Në dijeninë tonë prindërit na thanë se nuk kishte konsumuar asgjë dhe nuk kemi mundur që të vendosim se çfarë është. Ishte e vështirë për t’i marrë edhe gjakun.

Jam e ngarkuar emocionalisht shumë. Ardhja e fëmijës së dytë me gjyshërit dhe jo me prindërit sepse ata vendosën firmën dhe ikën duke menduar se virozë dhe pastaj kur erdhi fëmija i dytë vendosëm gjithë bashkë që vajza të dërgohet në Tiranë. Vajza është në gjendje të rëndë në Tiranë dhe nuk kemi asnjë konfirmim deri më tani se cili është shkaku.”

3-vjeçari që ndërroi jetë në Shkodër dhe motra e tij 7-vjeçare që ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe që është e shtruar prej dy ditësh në QSUT, dyshohen se janë helmuar nga ilaçi kundër minjve.

Burime nga mjekët e QSUT bëjnë me dije se dyshohet për intoksikacion nga ilaçi kundër minjve.

Reagimi zyrtari i policisë për ngjarjen

Në lidhje me këtë ngjarje, Policia bën me dije se të premten (21 shkurt) dy fëmijët janë dërguar në spital nga babai i tyre, me dyshime për viroza të stinë. Pas mjekimit ata janë larguar në banesë.

Por për shkak se gjendja e tyre ishte rënduar, një ditë më vonë, babai i kishte dërguar sërish në spital, por fatkeqësisht 3-vjeçari kishte humbur jetën. Ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit.

“Më datë 21.02.2025, shtetasi S. H. ka dërguar për mjekim në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër, 2 fëmijët e tij, vajzën 7 vjeçe dhe djalin 3 vjeç, të dyshuar me virozë stine. Pas mjekimit, shtetasi S. H. dhe 2 fëmijët janë larguar në banesë.

Për shkak të rëndimit në gjendjes shëndetësore të fëmijëve, në banesë, më datë 22.02.2025, shtetasi S. H. i ka dërguar përsëri 2 fëmijët për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Pavarësisht ndihmës mjekësore, 3-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit“, njofton policia.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *