AKU deklaroi në dhjetor se ishin asgjësuar, si u nxorrën sërish në treg për shqiptarët 10 ton mandarina me pesticide

 Tre persona janë arrestuar në Berat për tregtimin e 10 tonëve mandarina që pas eksportimit në Kroaci, u kthyen mbrapsht për shkak se rezultuan me përmbajtje të lartë të pesticidit “Fosmet”. Ky lloj pesticidi është i dëmshëm dhe gjithashtu i ndaluar për tu përdorur.

Lidhur me këtë skandal Autoriteti Kombëtar i Ushqimit reagoi në dhjetor të vitit të kaluar dhe deklaroi se kishte gjobitur me 4 milionë lekë, Arben Dylin, pronarin e subjektit eksportues (i arrestuar) dhe po ashtu asokohe deklaruan se sasia e mandarinave me pesticide ishin asgjësuar. Siç duket deklaratat e AKU-së janë bërë sa për të ulur zërat mbi skandalin, për shkak se mandarinat jo vetëm nuk janë asgjësuar por janë vënë sërish në shitje për konsumatorët. 

Ndërkohë përveç Dylit, në pranga janë vënë edhe Elson Tafa dhe Elson Tahiraj. Ato po hetohen për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimi detyres”. 

Fermeri Elton Tafa ka shitur te Arben Dyli(administrator i pikës së grumbullimit) sasinë prej 10 tonësh mandarina të cilat më pas ai i ka eksportuar drejt Kroacisë. Nga autoritetet kroate janë kryer analizat e nevojshme nga ku ka rezultuar se sasia e mandarinave kishte përmbajtje të lart te pesticidit “Fosmet”, pesticid ky i dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar për tu përdorur. Sasia e mandarinave është kthyer sërish në vendin tonë dhe dyshohet se pas kthimit, Dyli i ka hedhur sërish në treg duke mos i asgjësuar. Dyshohet se Elson Tahiraj me detyrë inspektor pranë Drejtoris Rajonale të Veterinaris dhe Mbrojtjes së Bimëve ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar çertifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme ndër të cilat dhe subjekti i shtetasit Arben Dyli.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *