Irfan Hysenbelliu, pronari i resortit që u prish përfundimisht ditën e diel “ka hapur thesin”, duke mos u kursyer në rrëfimet e tij për kryeministrin Rama. Hysenbelliu tha se kryeministri nuk e ka vetëm politike kundër medias së tij, por edhe personale.
Pasi ka parë t’i hidhet në erë prona miliona euro në bregdetin e Golemit, biznesmeni tregoi se pse u prishën raportet midis tyre, ndërsa tha se ai dikur i ka gjetur punë Linda Ramës.
Hysenbelliu kujtoi bisedat me Edi Ramën kur të dy bashkë drekonin në ish-resortin Prestige.
“Rama zgjidhte konceptin, më zgjodhi edhe arkitektin” rrëfeu Hysenbelliu, ndërsa kujtoi diskutimet mbi sektorin e ndërtimit në Tiranë dhe preferencat që Rama kishte për arkitektët e huaj.
Sipas tij ajo që nuk përtypej prej kryeministrit ishin lajmet për Belinda Ballukun dhe tenderat e pafundëm që ajo jepte për rrugët. Biznesmeni tregoi gjithashtu se Belinda dhe Rama janë shumë të afërt me njëri-tjetrin dhe edhe pse ajo vendos për gjithçka është ai që jep firmën në fund.
Pasi tha se fëmijët e tij i kishte këshilluar të iknin nga Shqipëria (djalin dhe vajzën), Hysenbelliu pati një mesazh edhe për fëmijët e Edi Ramës.
“Nuk dua që fëmijët e tij, fëmijët e tij, të kenë këto lot, apo gruaja e tij të ketë lot, siç i ka familja ime dhe nusja ime” tha pronari i ish-resortit Prestige.
Në fjalët e tij, Hysenbelliu nuk kurseu as Linda Ramën. Tha se me të kishte pasur njohje të hershme dhe kujtoi kohën kur ajo qante dhe i kërkonte të shkonte tek Ylli Çabiri.
“Më vjen keq për të shoqen e tija. Sepse për të shoqen e tij kam shumë respekt. Dhe kam pas shumë miqësi me të. E kam çuar unë te Ylli Çabiri në punë. E kam punësuar. E kam çuar, e kam punësuar. Qante në atë kohë. E kam çuar unë te Ylli, se nuk e di a e ka memorien Ylli ta mbajë mend, ta pyesë. Po e kam çuar atje, se më thanë që Ylli Çabiri është. E kam çuar unë te Ylli Çabiri I kam ndihmuar, e kam përkrahur. Nuk mendoj që nga burri i saj do merrja këtë përgjigje sot. Besoj se edhe ajo s’do jetë shumë e kënaqur”
Një akuzë e fortë ishte ajo për mënyrën se si Edi Rama i merr vendimet për PPP dhe kullat.
“Ky i jep PPP me një copë letër, 300 milion euro, një milliard euro, nuk e ka problem. Ky ta jep kullën sa të duash, në dy sekonda ta jep. Në dy sekonda” u shpreh Hysenbelliu, që u shfaq i emocionuar gjatë intervistës. “Nuk i besoj syve për atë që ndodhi, nuk e shifja as News dot” u shpreh ai duke e quajtur “të dhimbshme” atë që ndodhi me investimin e tij.