Porti i ri i Durrësit synon ta shndërrojë këtë qytet në “Monacon” e Ballkanit. Por kur ende nuk është dhënë leja për ndërtimin e apartamenteve aty pranë, e kur ende nuk është ndërtuar asgjë për projektin e Portit të Jahteve dhe Marinës në Durrës, qytetarët kanë nisur të blejnë ‘ajrin’.
Vetëm pak ditë pas miratimit me urgjencë në parlament nga maxhoranca të projektit të portit të Durrësit, në qytetin e Durrësit ka nisur shitja e apartamenteve.Projekti i Durrës Marina Yacht nisi dje procesin e shitjeve të ndërtesave të para duke aplikuar çmime më të larta edhe se zonat e lakmuara në Tiranë. Blerësit sot kanë prenotuar ajër, për një projekt që ka shumë kundërshtime politike, por edhe ligjore në gjykatën kushtetuese. Opozita e quan atë si afera korruptive më e madhe e 30 viteve.
Shitja po bëhet në disa zyra ku janë vendosur makete të portit të ri si dhe broshura për apartamentet. Banorë të Durrësit, Tiranës, por edhe të huaj, kanë shprehur interes për të mësuar më shumë.
1800 deri në 3 mijë euro për metër katrorë variojnë çmimet e banesave ende të pandërtuara në këtë zonë, ku vlera e një apartamenti 60 metra katrore shkon deri në 110 mije euro, ndërsa për apartamentet më të mëdha kapin vlerën deri në 1.2 milionë euro. Sipas drejtuesve të zyrës së shitjeve, apartamentet e dy objekteve të projektit të cilësuar më korruptivi në Europë, janë shitur plotësisht nga blerës kryesisht të huaj.
“Për sa i përket pjesës së çmimeve është e vërtetë, për momentin fillon nga 110 mijë euro deri në çmime më të larta.110 apartamentet e para është hapur sot në 8 të mëngjesit dhe janë sot drejt përfundimit. Po shohim një boom kërkesash nga shtetas të huaj”, deklaron agjenti i shitjeve.
Të huajt mesa duket kanë më shumë lehtësi të blejnë këto apartamente në Marina Port ndryshe nga shqiptarët për të cilët realiteti është shumë ndryshe. Ata thonë se e kanë të pamundur të paguajnë kaq shumë për apartamente ndaj dhe nuk kanë shprehur interes për blerjen e tyre.