Një ditë pas zbardhjes së vrasjes së Menduh Kurt-Dedës, një krim në bashkëpunim mes Marjeta Karajt, të birit, Besmirit dhe Gazmir Ngotës, kanë dalë edhe dëshmitë e tyre. Dosja ka mësuar se në momentin e arrestimit, Marjeta Karaj ka pranuar se ka patur lidhje intime me Kurt-Dedën por e ka shkëputur për shkak të konflikteve.
Marjeta Karaj: Për shkak të konflikteve shkëputëm marrëdhënien.
56-vjeçarja nuk ka pranuar të japë detaje për vrasjen e ish-partnerit të saj, ngjarje e ndodhur në vitin 2017. Ndërsa, i arrestuari tjetër, Gazmir Ngota, ka treguar të gjithë kronologjinë se si ka ndodhur ngjarja. Vrasja u zbardh dje dhe dyshohet se ka ndodhur për një borxh që Kurt-Deda i kishte Marjetës. Ajo bashkë me djalin i kanë kërkuar paratë, të cilat Kurt-Deda nuk ka pranuar t’jua japë. Ata dyshohet se në bashkëpunim me Gazmir Ngotën e kanë rrahur dhe më pas e kanë çuar në Dajt ku e kanëlidhur dhe djegur.
Gazmir Ngota ka rrëfyer me detaje organizimin e vrasjes. Sipas tij, aika mësuar për borxhin përmes shokut të tij, Besmir Karajt. Në momentin kur Kurt-Deda është rrëmbyer ai ka qenë me Besmirin. Ata e kanë çuar në Allias dhe më pas e kanë vrarë në Dajt.
“Besmiri më vuri në dijeni për borxhin që Kurt-Deda i kishte Marjetës. Isha prezent që nga momenti kur e morëm me makinë në zonën e Xhamllikut. E çuam në Allias në një parking pranë shtëpisë së Besmirit. Aty erdhi dhe Marjeta. Pasi i kërkuam borxhin, ai e mohoi. Besmiri e rrahu dhe ai kërkoi kohë. Marjeta na porositi ta çonim në Dajt. Aty e lidhëm dhe e dogjëm. E bëra për shoqëri, nuk kam marrë para”,-mësohet të ketë thënë Gazmir Ngota.