Më 27 nëntor 2021, dy prindërit mësuan se fëmija i tyre 1 vjeç ishte infektuar me HIV. Për ‘Balkanweb’ ata kanë treguar historinë e dramës së tyre. Dyshimet e tyre bien mbi spitalin QSUT, në reanimacionin e pediatrisë, ku djali, u shtrua për disa ditë pasi vuante nga bronkopneumonia. Prindërit, përforcojnë akuzat ndaj spitalit, pasi në dy teste që kanë kryer, si në shtetin gjerman dhe atë italian, kanë rezultuar negativë nga HIV-i.
Prindërit, tregojnë se nuk kanë gjetur mbështetjen e shtetit shqiptar në lidhje me këtë rast dhe se strehim dhe kurat e nevojshme, i kanë gjetur nga një shtet fqinj, ku dhe ndodhen aktualisht. Mes lotësh, prindërit, i bëjnë apel shtetit që t’i ndihmojë dhe kërkojnë që edhe fëmijët e tjerë që ndodheshin asokohe në reanimacion me të voglin e tyre të testohen, pasi sipas tyre, edhe ata mund të jenë të rriskuar nga virusi Hiv.
‘Jemi dy prindër të rinj që dëshiruam shumë ti gëzoheshim dashurisë sonë. U kujdesa shumë gjatë shtatzanisë që të kisha një fëmijë të shëndetëshëm. Jemi prindër të një ëngjëlli 1 vjeçar, ai që doli në titujt e lajmeve si fëmija i infektuar me HIV me 2 prindër negativ. Si nënë nuk flas dot, vetëm zemra e di. Plagën në shpirt po e luftoj për hatër të tim biri. Asnjë pakujdesi e bluzave të bardha që unë e shikoja si shpëtim, s’do më bëjë që të heq dorë’- thotë nëna ndër të tjera.
Prindërit e vogëlushit, kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme një takim me ministren Ogerta Manastirliu, por kjo gjë nuk është mundësuar. Prindërit, e kanë referuar çështjen fillimisht në Ministrinë e Shëndetësisë, më pas në Kryeministri, por nuk morën asnjë përgjigje.