Me çapat e ngadaltë, e të kuqërremtën e flokëve që i nënvizon shkëlqimin në sy, buzëqesh Tinka Kurti sot mes miqsh.
Ky mëngjes e gjen të në të nëntëdhjetat, e ajo rroket mes përqafimeve të kolegëve. Në Ministrinë e Kulturës, festohet këtë të shtunë datëlindja e ikonës së teatrit e kinematografisë..
Afro 75 vjet gjurmë të arta skenike. E nisi me regjistrimin në liceun artistik, si nxënësja e parë vajzë, daljet në teatrin “Migjeni” e mandej tek “Tana”, i pari film i gjatë artistik shqiptar. Mandej shkëlqeu në rolet heroike, figurën dramatike të nënës, e dhjetra personazhe të tjerë, që u veshi portretin, zërin, interpretimin e saj.
Ka thyer tabu Tinka Kurti artiste e sot tek rreket në të shkuarën e saj, i shpreh mirënjohjen të dashurit të saj të zemrës, muzikantit Palokë Kurti që i qëndroi pranë në këtë rrugëtim.
Dashuritë e saj të mëdha janë tanimë përtej kësaj bote, i japin forcë aktores përmes frymës së dashurisë, e këtu qëndron kokëfortë arti i saj, që ende çel fryte të reja. “Vdekja le të presë” është filmi më i fundit, që e rikthen aktoren në sheshin e xhirimit.