Një konflikt në familje ka rrezikuar të degradojë në një ngjarje të rëndë kriminale që për fat të mirë është parandaluar në kohë.
Policia ka ndërhyrë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës me sende të forta, mes anëtarëve të një familjeje në Kukës.Policia i vuri prangat 56-vjeçarit që ushtroi dhunë fizike ndaj vajzës së tij.Ndërsa shpalli në kërkim djalin e tij të mitur, i cili rrahu babain, për të parandaluar dhunën e mëtejshme ndaj të motrës.
Gjatë kontrollit në banesën e kësaj familjeje, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatik dhe një karikator me 30 fishekë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zall Lusen, po ndodhte një konflikt në familjen e shtetasit E. P., menjëherë organizuan operacionin policor të koduar “Lusen”, për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 56 vjeç, banues në fshatin Zall Lusen, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.Shtetasi E. P. ka ushtruar dhunë fizike dhe ka goditur me mjete të forta vajzën e tij 19 vjeçe, për motive të dobëta. Më pas, djali 17 vjeç ka ndërhyrë dhe e ka goditur me mjete të forta babanë e tij, për të parandaluar dhunën e mëtejshme ndaj motrës”, bën me dije policia.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim 17-vjeçari, për veprën penale “Dhuna në familje”.Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe një karikator me 30 fishekë.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.