Një mekanik në Tiranë përfundoi në burg pasi vodhi një automjet luksoz të cilin e hapi pa asnjë vështirësi dhe doli nga parkimi nëntokësor sikur të ishte pronari i Audit A8.
“I dyshuari që këmbëngul se është sipërmarrës dhe dhënës makinash me qira u kap në afërsi të rrethrrotullimit të Thumanës”,- tregoi rastin për gazetën “Si” një burim i sigurtë nga policia.
Vjedhja e automjetit, pronë e një qytetari që jeton jashtë Shqipërisë, u denoncua në kohë rekord nga një punonjës që punon roje parking në rrugën “Don Bosko”. Ai i dëshmoi Policisë se ditën e ngjarjes pa të hyjnë në parking dy persona që e ndezën automjetin krejt normalisht.
“E ndezën me pult dhe me këtë makinë u afruan për të dalë. Brenda në makinë kishte kartë që hap traun, por karta ishte e skaduar dhe trau nuk u hap. Personi që drejtonte makinën tha që ishin miqtë e pronarit të Audit. Më thanë që po shkonin në spital pasi pronari ishtë shumë sëmurë dhe ishte duke vdekur. Për ta hapur traun më ofruan 10 mijë lekë që nuk i pranova. Shoferi insistoi që ishin njerëzit e Andit dhe që ai ishte në spital.”
Roja i tha policisë se pas insistimit ai e hapi traun, por që sidoqoftë ka njoftuar administratorin.
“Aty erdhi nëna e pronarit të makinës që e sqarova se çfarë kishte ndodhur por ajo tha që djali nuk ishte në spital, por jashtë shtetit”.
Familjarët kanë konfirmuar se çelësat e makinës gjendeshin në shtëpi dhe se automjetin nuk e përdorte askush. Policia tregon se nga kqyrja e kamerave të sigurisë vërejti që shoferi mban në fytyrë një kapele të zezë dhe një maskë anticovid. Për policinë nuk ka qenë e vështirë që pas këtij hetimi të shpejtë të kuptojë që bëhej fjalë për një vjedhje dhe që hajduitët kishin një kopje të çelsit. Nga shpallja në kërkim e targave, shërbimet policore nuk janë vonuar shumë për të identifikuar një të ngjashme në rrugën nacionale. Si shofer u identifikua shtetasi D.D, që akuzohet për vjedhje me pasoja të rënda. Por i riu këmbëngul se është mekanik dhe se ja kërkoi një mik të shkonte për ta marrë për ta parë nëse kishte apo jo probleme
“Nuk e dija se ku ishte makina, por shkova së bashku me E…me të cilin ecëm në këmbë nga Gjykata Administrative. Ai më dha çelësat, ecëm në rrugë kryesore dhe kishim çadër pasi binte shi. E.. më dha celësin me pult dhe me këtë çelës hapa makinën Audi A8. Ndeza makinën dhe dola por traun nuk u hap dhe diskutuam pak me rojen që na pyeti a e njihnim Andin. I thamë që ishte në spital dhe po vdiste.”
I dyshuari i tregon policisë se E…më pas zbriti në afërsi të një vendi ku kishte lënë makinën Golf dhe i kërkoi të takoheshin në Laç. Megjithatë udhëtimi I tij për të cilin policia po heton nëse ky mjet do të përdorej për ndonjë krim u ndërpre nga një postbllok I rendit.
Burimeti thanë gazetës “Si” se në banesën e mekanikut u gjetën tetë çelësa të ndryshëm markash të ndryshme automjetesh si Citroen, Fiat, Audi, Mercedez dhe një tjetër me mbishkimin HF 555 si dhe tre të tjerë me pult. Në vijim të hetimeve policia ka marrë në pyetje edhe një administrator që jep makina me qira. Ai është personi që iu dha me qira golfin dy të rinjve për t’u afruar pranë zonës që ku kishin piketuar vjedhjen.
Ai pranon se dha me qira mjetin Golf mbasi ka si biznes dhënien me qira të makinave. Por policia nuk jep më tej detaje se cilat janë pistat e dyshuara dhe se përse mund të përdorej makina luksoze e grabitur në Tiranë në një mënyrë të sofisitikuar, që sidoqoftë u zbulua dhe u sinjalizua në kohë nga një roje parking./GazetaSi