“Atmosfera shumë e mirë, na pëlqen ushqimi dhe kultura e korçarëve, përshëndetjet në rrugë dhe nga të panjohur. Korça e bukur e mirë, atmosfera më e mirë se kudo”, thanë vizitorët.
100 për qind e kapaciteteve akomoduese janë rezervuar në qytet por dhe në fshatrat turistë të Dardhës e Voskopojës, për datat 31 dhjetor deri më 3 janar.“Që para një muaj e gjysmë janë mbyllur rezervimet si në hotel ashtu dhe në restorant. Po të vijë një turist në momentin e fundit, pra më datë 31 a gjen vend? Jo është e pamundur! Nga janë turistët? Vendas nga Tirana, Durrësi, Elbasani, kryesisht por dhe nga qytete të tjera”, tha Anxhelo Tola, operator turstik.
Bashkia jep disa sugjerime për aktivitet që ofrohen për turistët.
“Për të pasur një eksperiencë të bukur ia vlen të vizitoni muzetë, kemi sportet e aventurës, pistë hipizmi, hiking, pista e skive edhe pse s’ka rënë ende borë por shpresojmë të bie deri në natën e ndërrimit të viteve. Natën e ndërrimit të viteve do ketë koncert dhe spektakël me fishekzjarrë”, tha Larisa Katundi, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun në Bashki.
Duke qenë se kërkesa ka qenë e lartë, disa bujtina sidomos në Voskopojë kanë rritur çmimet e fjetjes dhe ushqimit deri në 20 për qind në prag të ndërrimit të viteve.