Një ngjarje e rëndë është shënuar në Shkodër, ku një 32-vjeçare e quajtur Orjana Gremi akuzohet për vrasjen e foshnjës së saj 7 ditëshe, duke e hedhur në lumin Kir.
Policia tha se kishte marrë informacione se mbrëmjen e të premtes, 6 janar, një shtetase dyshohet se kishte braktisur foshnjën e saj, të seksit mashkull, të lindur më datë 30 dhjetor 2022, dhe mund ta hidhte në lumin Kir.“Pas kontrolleve të ushtruara gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur Postribë, në lumin Kir, u gjet i pajetë, trupi i foshnjës së 32-vjeçares e cila e kishte hedhur atë në lumë gjatë natës”, konfirmoi policia.
Njoftimi nga policia Shkodër
Hodhi në lumin Kir foshnjën e saj, vihet në pranga për vrasje, 32-vjeçarja.
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, bazuar në inteligjencën informative, se mbrëmjen e djeshme, një shtetase dyshohet se kishte braktisur foshnjën e saj, të seksit mashkull, të lindur më datë 30 dhjetor 2022, dhe mund ta hidhte në lumin Kir, kanë organizuar punën për verifikimin e këtij informacioni të marrë.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur Postribë, në lumin Kir, u gjet i pajetë, trupi i foshnjës së 32-vjeçares e cila e kishte hedhur atë në lumë gjatë natës.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, shtetasen O. G., 32 vjeçe, banuese në fshatin Myselim.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i kësaj shtetaseje, për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.