Në rrëfimin e jetës së saj, Kiara Tito ka folur për periudhën që ka jetuar në Itali dhe më pas rikthimin në Shqipëri. Por jo vetëm kaq, pasi moderatorja e njohur u shpreh se viti më i bukur që ajo mban mend është 2017 pasi nisi punë në Top Channel.
“Kam lindur në Lushnje. Kur unë linda babi emigroi në Itali, unë ngela vetëm me mamin dhe dy vite më vonë erdhëm në Tiranë. Në atë kohë ishte e vështirë të bëje letrat dhe unë kam ndenjur disa vite larg babit, që e kisha dhe e kam pikë të dobët. Ndenjëm disa vite derisa babi na tërhoqi në vitin 2009 dhe jetuam atje për 5 vite. Unë kam patur një fëmijëri shumë të bukur edhe pse në shkollë dukesha si një fëmijë i çuditshëm pasi rrija në bankën e fundit dhe nuk e ngrija dorën, isha shumë e ndrojtur dhe ndihesha e bullizuar nga të tjerët, sepse nuk më bënin pjesë të organizimeve që bëheshin në shkollë. Por në shtëpi kisha rrethin tim të shoqërisë, disa vajza që më ndihmonin të bëhesha kreative. Aty kuptova që ëndrra ime ishte të isha pjesë e botës së spektaklit. Merrja prindërit dhe i rreshtoja dhe organizoja sfilata.
Kur erdha nga Italia, erdha nga hiçi dhe fitova midis 100 vetave dhe u bëra pjesë e një emisioni, i cili ndiqej goxha, kishte popullaritet. Më dukej si një ëndërr që e kisha ëndërruar për 20 vite me radhë. Ja arrita, ja dola. Për dy vite punova në Top Channel, nga mëngjesi në darkë isha këtu. Kjo është shtëpia ime e dytë, kështu e kam quajtur. Pastaj erdhi pjesa më e vështirë, u largova nga puna. Ishte fundi i sezonit dhe nuk kisha mundësi të gjeja një emision tjetër.
Aty pastaj thashë ‘Kiara zgjohu, mendo diçka, mendo një emision, shkruaj diçka, se koha kalon shumë shpejt dhe do ngelësh pa gjë’. Një javë rresht qaja, bërtisja, ulërija, ngela pa punë, mu duk mua sikur kapa qiellin me dorë se fillova punë në Top, si më hoqën kështu. Shkruajta një emision dhe shkova në një televizion tjetër. Ishte çmenduri që u pranova, edhe për moshën që kisha. Por dua të them se ambicia, vullneti, fakti që i kam kërkuar gjithmonë gjërat dhe nuk i kam lënë përgjysmë, më kanë ndihmuar të arrija të realizoja ëndrrën time”, tha Kiara Tito.