Persona të panjohur vrasin me çifte kalin e “Farma Sotira”, pronarët të lënduar: “Po bëhet e vështirë t’ia dalim”

Me siguri të gjithë keni dëgjuar të paktën njëherë për “Farma Sotira”, biznesin agroturist rrugës për në Ersekë që është një ndër të vetmet biznese që promovojnë turizmin në këto anë. Ditën e sotme, një ngjarje kriminale ka ndodhur në zonën e Shelegurit, ku një kalë është qëlluar me armë zjarri.

Sipas një denoncimi të bërë në rrjetet sociale nga pronarët e “Farma Sotira Agroturizëm”, mësohet se persona të paidentifikuar kanë qëlluar mbrëmjen e djeshme kalin që ata kujdeseshin prej shumë vitesh. Më tej, “Farma Sotira” bën thirrje që organet përkatëse ta zbardhin dhe ta dënojnë ngjarjen.

“Kalin tonë Balashin, e vranë në zonën e Shelegurit me çifte persona që nuk e dinë çfarë është dashuria për kafshët, dhimbja për ne është e pa imagjinueshme. Kemi vite që me shumë sakrifica, me shpirt nëpër dhëmbë, mundohemi ta zhvillojmë turizmin, të sjellim mijëra miq në këtë zonë të bukur por dhe pothuajse të braktisur.

Me qëllimin e vetëm për të ndërtuar një jetë për familjen tonë dhe për të frenuar sadopak shpopullimin e këtyre vendeve të mrekullueshme. Po bëhet çdo ditë dhe më e vështirë por ne nuk dorëzohemi kurrë. I lutemi organeve përkatëse ta zbardhin dhe dënojnë ngjarjen, por edhe juve miq të na bashkoheni, sepse kjo ngjarje kërkon dënim dhe nga opinioni publik”,– shkruhet në denoncimin e bërë.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *