Nëna e kishte denoncuar të zhdukur, gjendet i vrarë 22 vjeçari Klevis Lleshi

Është gjetur i pajetë trupi i 24-vjeçarit Klevis Lleshi, i zhdukur 2 vite më parë. Mësohet se trupi i tij ka qenë i groposur, por nga erozioni i tokës, në fshatin Shpërdhet ka dalë në sipërfaqe. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar policinë në lidhje me këtë ngjarje.

Deri më tani dyshohet se ai është rrëmbyer, është vrarë dhe më pas është groposur.

Saga e vrasjeve në familjen Lleshi ka nisur dhjetë vite më parë. I ati i Klevisit, Xhavit Lleshi u vra në një pritë në vendin e quajtur “Pujkë” në vitin 2013, ndërsa pak vite më pas i është vrarë xhaxhai Hajredin Lleshi, pranë shtëpisë.

Data e vrasjes së Klevis Lleshit, vetëm 24 vjeç, nuk dihet ende, por dyshimet nisën që dy vite e gjysmë më parë, kur i riu u zhduk pa gjurmë mesditën e 5 gushtit. Zbulimi i mbetjeve kockore të 24-vjeçarit, të futur në një gropë në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit zyrtarizoi një tjetër emër në listën e të vdekurve pas përplasjeve që datojnë nga viti 2012.

Agim Hoxha u gjet i shkrumbuar në makinën e tij në Britaninë e Madhe. Ekspertiza tregoi se 29-vjeçari ishte vrarë në një tjetër vend, më pas ishte vendosur në makinën e tij dhe i ishte vënë flaka për të zhdukur trupin. Ai jetonte dhe punonte prej vitesh në Londër bashkë me Arben Lleshin, një miqësi e kultivuar që në vendlindje, por që u prish më vonë.

Mediat britanike shkruanin në atë kohë se dyshja kishin pasur konflikte për pazaret e drogës në të cilët ishin përfshirë dhe aktivizuar në Londër. Autoritetet britanike vunë në pranga Arben dhe Afrim Lleshin. Ky i dyti u akuzua për çorientim të autoriteteve pasi deklaronte se në kohën që ishte vrarë Agimi, Arbeni ndodhej me të. Por presioni bëri që Arben Lleshaj të pranonte krimin e kryer, megjithëse refuzoi ta kishte djegur trupin brenda në makinë.

Lleshaj është dënuar me 32 vite burg dhe në vitin 2016 u ekstradua drejt Shqipërisë për të shlyer 28 vitet e mbetura.

Por, ndërkohë që Lleshaj kishte marrë dënimin nga drejtësia, familja Hoxha s’e fali! Kështu nisi dhe hakmarrja.

Në vitin 2013 u vra Xhavit Lleshi, babai i të riut që iu gjet sot trupi. Xhavit LLeshit iu bë pritë në vendin e quajtur ‘Pujkë’.

Më 15 maj të vitit 2016 u vra Hajredin Lleshi, vëllai i Xhavitit, në fshatin e lindjes në Burrel.

Goditjet nga familja Hoxha vijuan dhe një vit më vonë. Në vitin 2017 u rrëmbye Artan Lleshi, djali i Hajredinit, të cilin e morën me një makinë në Burrel dhe e sollën në Kamëz. Në Kamëz ai u pa për herë të fundit nga kamerat e sigurisë së një lokali dhe që nga ajo nuk dihet se çfraë ka ndodhur me të.

Deri në vitin 2017, drejtësia e kishte bërë punën e saj, por edhe familja Hoxha gjithashtu. Djemtë e familjes Lleshi ishin ‘shuar’, por Klevisi po rritej. Mbi shpatullat e djalit që ishte ende një fëmijë rëndonte barra për të vënë drejtësi, për të marrë hak për babain e xhaxhain e vrarë dhe kushëririn e zhdukur. Por Burreli është i vogël, zërat përhapen shpejt dhe planet e Klevisit kishin mbërritur në veshin e fisit Hoxha gjithashtu.

Kështu, kur Klevisi s’kishte mbushur ende 22 vjeç dhe sapo kishte nisur të bënte përplasjet e para për të fituar terren, u zhduk. Sot, dy vite më vonë u gjet i vrarë e i groposur…

Autorët?

Familja shënjestroi fisin Hoxha, madje nëna e tij që në momentin që u zhduk tha se shoqëria ia kishte ‘tradhëtuar’ të birin e ia kishte nxjerrë në ‘prite’ te armiku. Deri më tani, drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj për tre të vrarë tashmë dhe një të zhdukur…

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *