Gazetarja Klodiana Lala thotë se shoferi i kazinosë ku punonte Joy Aoko, 22-vjeçarja keniane që vdiq në rrethana misterioze, ka dhënë dëshmi kontradiktore. I ftuar në “Open”, Lala tha se shoferi ka deklaruar se vajza ishte konsumuese alkooli dhe lëndësh narkotike, gjë që nuk rezulton nga analizat e kryera. Ajo shtoi se një tjetër kontradiktë është në faktin që ai ka dëshmuar se nuk e ka takuar Joy, po vetëm katër ditë para se reja të gjendej në gjendje kome, ishte takuar me të dhe madje kishin qenë bashkë në Durrës.
Lala tha se dyshja kishin debatuar dhe se shoferi i kishte fshirë gjithçka nga celulari. Lala tha se Prokuroria duhet të hetojë në shumë plane për të gjetur autorin ose autorët, ndërsa shtoi se nëna e Joyit i ka vënë në dispozicion edhe një video ku shihen duke u konfliktuar fizikisht 22-vjeçarja me një tjetër vajzë. Vajza në fjalë është me shtetësi të huaj dhe rezulton se punonte në të njëjtën kazino me Joy-n.
“Në këtë rast denoncimi që kam bërë dhe vijoj ta bëj, është për të vënë para përgjegjësisë institucionet… Pjesë e dytë e dëshmisë se shoferit nuk rezulton të jetë e bazuar në fakte, ka pasur kontakte, katër ditë para ngjarjes të dy bashkë kanë qenë në Durrës, dhe ky është fakt i dokumentuar. Ai ka tentuar ta trajtojë vajzën sikur kishte problematika me drogën dhe alkoolin, gjë që nuk rezulton. Vajza ka pasur një konflikt të fortë, ai i ka marrë telefonin dhe i ka fshirë të gjitha kontaktet. Mendoj se ka qenë për arsye personale. Fakti që ishte larguar nga puna sepse ishte kthyer në shqetësim… Unë e kam nxjerrë dëshminë e tij për të kuptuar nëse shkon apo jo me dëshmitë e tjera, sepse nuk duhet ta shikosh të ndarë nga dëshmitë e tjera. Rodi B, është pyetur si person që ka luajtur rolin e përkthyesit, por pas emisionit tim, nëna e tij ka shkuar në Prokurori për të mësuar sesi është ngjarja. Tani nuk e di se ku ndodhet djali. Kamerat e sigurisë kanë dhënë një rezultat të pjesshëm, njëri prej personave lëviz me një biçikletë, dhe janë duke u krahasuar me personat që dyshohen. Nga ana tjetër nëna e saj më ka vënë në dispozicion një video që mes saj dhe një vajze me kombësi të huaj, ka pasur një përplasje fizike. Një konflikt me një shtetase që punonte po në të njëjtën kazino,”- tha Lala.
Joy Aoko ndërroi jetë në Kenia, ku u transportua në gjendje kome, disa muaj pasi ndodhej e shtruar tek Trauma. Joy ndodhej e shtruar në spital që prej 14 gushtit të vitit 2022. 22-vjeçarja kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino, por në gusht të vitit të kaluar, u gjet buzë godinës ku jetonte prej muajsh. Dyshimet paraprake ishin se e reja kishte rënë nga dritarja, por nga ekzaminimet e mëtejashme u vërtetua se ishte dhunuar e me shumë mundësi përdhunuar e më pas lënë ne derën e rezidencës ku jetonte. Oficerët e policisë kanë ripyetur disa persona për të sqaruar paqartësi apo mospërputhje mes deklarimeve të tyre dhe pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë. E para që u ripyet ishte shoqja e dhomës se 22-vjeçares e cila është nga Gana. Po ashtu janë pyetur edhe stafi i kazinosë dhe shoferi që e transportoi 22-vjeçaren në rezidencë pak orë para se të gjendej nga banorët jashtë rezidencës në gjendje të rëndë. Deri më tani s’ka asnjë person në pranga të lidhur me ngjarjen.