Një ngjarje e pazakontë është regjistruar së fundmi në qytetin e Sarandës. Prindërit e disa nxënësve në shkollën “Adem Sheme” kanë protestuar ditën e sotme, pasi fëmijët e tyre ndihen të rrezikuar në shkollë.
Bëhet me dije se mësimi është bojkotuar, pasi prindërit duan përjashtimin e një nxënësi që është problematik.
Sipas një shpjegimi të një prindi, nxënësi 14-vjeçar ka hyrë me armë në orën e mësimit dhe ua ka drejtuar mësuesve dhe nxënësve.
Prindi: Kërkojmë nga ana e institucionit, drejtorisë së shkollës që fëmijët tanë të kenë siguri në shkollë. Jo më larg se mbrëmë ka pasur një incident të përsëritur edhe më parë. Ku një fëmijë në klasë paralele me fëmijët tanë, i ngelur disa herë në klasë, është bërë problem në shkollë. Mbrëmë në orën e pestë të mësimit, fëmija i quajtur Leo, ka hyrë me një mjet që fëmijët e kanë parë si pistoletë. Ia drejtoi mësueses dhe i tha duart lart. I ka mbajtur për një minutë ashtu në tmerr. Mësuesja është lidhur më pas me drejtoreshën.
Mësuesja, nga informacionet që kemi thotë që mos i bëni gjë sepse lodra i ka, s’janë të vërteta. Një javë më parë, i ka kërcënuar fëmijët me thikë. I ka mbajtur 45 minuta të izoluar në klasë. Asnjë nga shkolla nuk ka pyetur për këta fëmijë. Deri diku, fëmijët na i kanë mbajtur dhe të fshehtë.
Sipas mediave lokale ky nuk është rasti i parë që fëmijët e kesaj shkolle kanë frike të hyjnë në mësim për shkak të kërcënimit dhe bullizmit. Megjithatë, vetëm mengjesin e sotëm prindërit i janë drejtuar komisariatitt të policisë për të gjetur zgjidhje.
Deri më tani ende nuk ka një zgjidhje për problemin, por prindërit thonë se bojkoti do të zgjasë disa ditë. Sipas prindërve edhe mësuesit u janë bashkuar bojkotit të tyre.