Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dolën në një konferencë të përbashkët për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.
Kurti foli për rrëmbimin e tre policëve, ku u shpreh se ky është një veprim agresor nga Serbia dhe se ata po hakmerren me policët që luftojnë krimin.
“Rasti i ndjeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj policisë që po lufton krimin, dhe intencë për eskalim dhe destabilizim ku ne tashmë kemi propozuar planin pesë pikësh për de-eskalim dhe normalizim.
Varësisht nga analizat dhe vlerësimet e institucioneve të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesa të qarkullimit në raste kur vlerësohet se mund të përbëjnë rrezik. Veprimet e radhës do të ndërmerren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse”, tha Kurti.
Kreu i Qeverisë tha se është e çuditshme sesi faktori ndërkombëtar po hesht ndaj veprimeve të Serbisë.
Kryeministri Albin Kurti reagoi ashpër pas pyetjes së gazetarëve se a do të ketë një shkëmbim të 3 policëve të rrëmbyer me kriminelin serb të arrestuar së fundmi në veri të Mitrovicës, Milun Milenkovic- Llune.
Sipas Kurtit, arrestimi i Llunes shkaktoi panik te kriminelët në veri të Kosovës, pasi nuk mendohej se një gjë e tillë do të ndodhte. Për kryeministrin, nuk do të ketë asnjë favor apo shkëmbim, pasi në Kosovë funksionon ligji.
“3 policët që janë rrëmbyer nga Kobra dhe SAI kanë qenë në një rrugë që dikur ishte ilegale dhe janë të angazhuar kundër kontrabandës. Llune nuk u bë kriminel më 26 dhe 29 maj, por ka dosje të trashë me shkelje të ligjit. E vërtetë që arrestimi i Llunes ka shkaktuar panik te kriminelët. Nuk e besonin që kjo do të ndodhte. Të ne ka sundim ligji, nuk bëjmë favore. Nuk e di nëse Beogradi ka kërkuar ndonjë shkëmbim. Për çfarë shkëmbimi jeni duke folur. Ne jemi vend demokratik dhe i lirë”, tha Kurti.