Ministria e Punëve të Jashtme pas përplasjes së aksidentit tragjik në Greqi, ka sqaruar se mes viktimave nuk ka shqiptarë.
Ndërkohë, më herët lidhur me këtë ngjarje reagoi edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, e cila i shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave si dhe i uroi shërim sa më të shpejtë të plagosurve.
“Të trishtuar nga aksidenti tragjik që ndodhi në Tempe në Greqi 🇬🇷 nga përplasja e dy trenave.
Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre në këtë aksident vdekjeprurës.
Shërim sa më të shpejtë të plagosurve!”, shkruan Xhaçka në postimin e saj në “Facebook”.
Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar një tragjedi ka ndodhur në Larisa të Greqisë ku pas përplasjes së dy trenave kanë mbetur të vdekur 36 persona dhe janë plagosur 85 të tjerë.
Mes të plagosurve ka pasur edhe fëmijë si dhe studentë. Ndërkohë, 53 prej tyre po marrin ndihmën mjekësore në spital, ndërsa 32 të tjerë kanë shpëtuar pa dëmtime të shumta.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat greke, aksidenti hekurudhor ka ndodhur në hyrje të luginës së Tempes, ku një tren pasagjerësh që udhëtonte midis Athinës dhe Selanikut me 350 pasagjerë në bord u përplas me një tren mallrash pranë qytetit të Larisës.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shpalli tre ditë zie kombëtare për 36 viktimat e aksidentit hekurudhor në Larisa të Greqisë.