Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Greqi, ku ndërroi jetë një shqiptare.
Mësohet se viktima është identifikuar si Elisa Doka, e cika mbeti e vdekur, pasi u përplas nga makina ndërsa po priste autobusin këtë të hënë në Patridha të Verias. 21-vjeçarja shqiptare po qëndronte në stacion së bashku me një 68-vjeçare, kur shoferi humbi kontrollin dhe i përplasi.
21-vjeçarja fillimisht u dërgua e plagosur në spital, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë.
“Makina e hodhi vajzën më shumë se dhjetë metra larg”, tha për protothema.gr presidenti i komunitetit Patrida Veria, Janis Sidiropoulos.
Shoferi 64-vjeçar, i cili dyshohet se nuk ishte mirë dhe për shkak të kësaj ka humbur kontrollin e makinës, si pasojë ka shkuar në drejtim të kundërt dhe ka shkaktuar aksidentin, është arrestuar, ndërsa ndaj tij është ngritur një çështje për vrasje nga pakujdesia dhe do të dërgohet në Prokurorinë e Rrethit Veria.