Mes dhimbjes, Lavdosh dhe Lefteri Begaj u përcollën në banesën e fundit në qytetin e Memaliaj. Ata ishin bërë gjyshër për herë të parë dhe mbrëmjen e së dielës, 17 mars 2024, po shkonin të festonin lindjen e nipit, por humbën jetën në aksident.
62-vjeçari Lavdosh Begaj, punonjës i OST po drejtonte makinën “Toyota” ku pasagjerë kishte bashkëshorten, krushqit Jani dhe Lavdie Meta dhe nënën e moshuar të Jani Metës. Në “bypass”-in e Tepelenës, makina e tyre u përplas nga një Benz që drejtohej nga 42-vjeçari Riza Rrapaj, i cili gjithashtu humbi jetën. Nga përplasja e fortë, ndërroi jetë 90-vjecarja Afërdita Meta, e cila u përcoll sot në banesën e fundit. Aksidentit të rëndë i shpëtuan çifti Jani dhe Lavdie Meta, të cilët janë shtruar në spitalin e Traumës, në gjendje të rëndë
Jashtë kamerës, fqinj dhe të afërm thanë me dhimbje se familjes Begaj iu mbyll dera e shtëpisë. Ata kishin dy vajza të martuara, ndërsa ishin bërë gjyshër për herë të parë. Mbrëmjen e së dielës ishin nisur për të festuar lindjen e nipit në një lokal në periferi të Tepelenës. Vajza e Lavdosh Begajt është e martuar me djalin e Jani Metës. Ndaj dy çiftet, krushqi me njeri-tjetrin ishin nisur së bashku në një makinë për tek restoranti ku do organizohej darka festive.
Ndërsa ne fshatin Izvor te Memaliajt iu dha lamtumira 42-vjecarit Riza Rapaj. Faturisti i OSHEE-së dyshohet se shkaktoi aksidentin fatal. Burime thanë se shpejtësia e lartë dhe lagështia në rrugë sollën devijim e korsisë dhe përplasjen e Benzit me Toyotën mbrëmjen e së dielës në aksin Memaliaj-Tepelenë.
Policia e Gjirokastrës informon se është arrestuar drejtuesi i automjetit tip “BMË” të përfshirë në këtë aksident.
Shtetasi Elton Proko 46 vjeç banues në Gjirokastër akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.