Thujase nga gjithë bota janë mobilizuar për të ndihmuar të prekurtit pas tërmeteve shkatërruese me dhjetëra mijëra viktima në Turqi dhe Siri. Mbi 70 shtete nga e mbarë bota kanë dërguar ekipe të kërkim-shpëtimit dhe ndihma humanitare për vendet e dëmtuara, përfshirë edhe vendet me ekonomi të dobët të Ballkanit Perëndimor.
Ndonëse vullneti i mirë për të ndihmuar duhet respektuar, megjithatë një inciativë për të mbledhur ndihma për të mbijetuarit e tërmetit në Turqi, është kritikuar shumë në Maqedoninë e Veriut. Disa video dhe fotografi që tregojnë se si janë mbledhur rroba të vjetra e të dëmtuara në qendrën e Shkupit janë bërë virale në rrjetet sociale. Mes rrobave që janë mbledhur ka dhe veshmbathje të grisura si dhe të vjetra.
Ndërkohë që gazetarë dhe aktivistë të shumtë në Maqedoninë e Veriut i kanë konsideruar këto vepra dhe donacione si tallje si dhe grumbullim mbeturinash.
Dy tërmete shkatërruese goditën të hënën pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Tërmeti kryesor u pasua nga dhjetëra pasgoditje. Sipas informacioneve të fundit, më shumë se 36,000 njerëz kanë vdekur dhe shifra pritet të vazhdojë të rritet. Fillimisht jugu i Turqisë u godit nga një tërmet me magnitudë 7.8 gradë të shkallës Rihter dhe u ndje në disa vende të rajonit dhe përveç njerëzve në Turqi, viktimat më të shumta ishin në Sirinë fqinje.