Alma Kaçi thotë se videoja e saj me Safet Gjicin u bë virale pasi e çoi në redaksinë e “Fiks Fare”.
‘Sot kam çuar kartën e memories në redaksinë e ‘Fiks Fare’, të nesërmen videoja u bë virale. Nuk u transmetua, por e bënë virale. Përdorën këtë gjë, e bënë virale,’ tha ajo, për SyriTv.
Alma Kaçi akuzon se ka bërë investigime për blerje votash, por ato nuk janë transmetuar nga ‘Fiks Fare’.
“Ishte vala e nxehtë kur ishin votimet dhe për kryebashkiakët e tjerë bëhej fjalë për blerje votash. Bëhet fjalë për ish-kryebashkiakun e Kavajës, Bashkia e Roskovecit, Bashkia e Fierit, ku ndër të tjera kërkonin se çfarë personash ke në fis, të m’i sjellësh me emra dhe mbiemra dhe u premtonin punë.Të gjitha këto raste janë bërë kundrejt marrjes së votës dhe kundrejt emisionit ‘Fiks Fare’ dhe që nuk janë transmetuar. Për shembull në Bashkinë e Kavajës, ish-kryebashkiaku përmes vëllait të vet, ndante ushqime te komuniteti rom, jepte tollona, edhe lekë ndoshta, por që nuk asistova dot për lekë. Edhe për kryebashkiakët e Fierit dhe Roskovecit është e njëjta skemë,” tha Kaçi.
Sipas saj, ajo paguhej në të zezë nga ‘Fiks Fare’.
“Që këtu është shkelja e ‘Fiks Fare’, që SPAK e dinte shumë mirë që mua më mbanin në të zezë. A është vepër penale që të mbash punonjësit në të zezë? Jo vetëm mua, por të gjithë bashkëpunëtorët e jashtëm, se unë quhesha bashkëpunëtore e jashtme. Kështu që janë devijuar shumë gjëra. Këtu nuk ka shtet, nuk ka drejtësi. Këtu drejtësia funksionon vetëm për Edi Ramën,” shtoi ajo.
E pyetur se sa paguhej, Kaçi tha: “Shumën nuk mund ta them se sa mund të merrja. Por kur materiali transmetohej, unë shkoja të nesërmen në redaksi dhe merrja pagesën time, gjithmonë në të zezë”.