Andrea Mano ka njoftuar se do të pranojë mandatin e Ervin Salianjit në Partinë Demokratike. Në një prononcim për media, Mano ka treguar se ka marrë shkresat nga KQZ për mandatin si deputet i Korçës, dhe pritet që t’i dorëzohet zyrtarisht nga Kuvendi për tju bashkuar PD.
“Unë jam në fazën që kam marrë një shkresë nga KQZ për marrjen e mandatit si deputeti i Korçës, e kam pranuar, kam plotësuar dhe shkresat e nevojshme. Jam në pritje të marrjes zyrtarisht të mandatit nga parlamenti i Shqipërisë. Unë jam deputet i PD dhe sigurisht që i bashkohem grupit parlamentar të PD.”
I pyetur nga gazetarët nëse do t’i bashkohet opozitës në një mosbindje civile, ai ka kujtuar revoltën e tij që ka bërë kohë më parë duke dhënë dorëheqjen nga stukturat e PD, ndërsa nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse do të jetë pjesë e protestave.
“Pas dorëheqjes unë kam bërë një akt revolte, thirrje për reflektim të gjithë PD ndaj ish kryetarit të PD. Dorëheqja ime dhe e një pjese të madhe e anëtarëve të kryesisë dhe më pas e 280 demokratëve që kanë ikur, ka qenë një protestë ndaj ish kryetarit të PD por jo ndaj Partisë Demokratike.
Sigurisht që ne kemi qenë pjesë e proceseve reformuese në PD të cilat fatkeqësisht nuk shkuan ashtu si ne e mendonim, sepse një pjesë e enturazhit të vjetër politik që iku nga kryetar partie, ju ribashkuan më tej PD por ne vazhdojmë që të jemi, ashtu si unë, edhe njerëzit që kanë ikur, nuk kanë ikur nga PD por nga funksionet drejtuese që kanë patur, kanë qenë anëtarë kryesie, drejtues seksionesh dhe grupseksionesh por e kanë dhënë kontributin si anëtarë partie”, ka thënë Andrea Mano për mediat.
Ervin Salianji humbi mandatin e deputetit pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për dënimin e tij me një vit burg për dosjen “Babale”. Nisur nga kjo rrethanë, Kuvendi i Shqipërisë njoftoi zyrtarisht përfundimin e mandatit dhe kalimin tek kandidati tjetër në listë, i cili është Andrea Mano.