Detaje të reja dalin në dritë nga vetëvrasja e 41-vjeçares, Bedrie Loka, e cila i dha fund jetës 4 ditë më parë në banesën e saj në Ishëm të Durrësit.
Nga hetimet ka rezultuar se 41-vjeçarja u vetëhelmua me fostoksinë më 2 Janar pas dhunës së vazhdueshme psikologjike të bashkëshortit të saj, Xhemal Loka.
Ky i fundit raportohet se pasi kthimit nga Greqia, ku ishte emigrant, e kishte kërcënuar për ta vrarë bashkëshorten me thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve, por 41-vjeçarja nuk e ka denoncuar në polici.
“Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi Xh. L., 45 vjeç, kishte dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij, shtetasen B. L. Gjithashtu, nga hetimet e thelluara rezultoi se më datë 27.12.2023, shtetasi Xh. L. e ka kërcënuar bashkëshorten me mjet prerës (thikë), për të vrarë, në prezencë të njërit prej fëmijëve. Për këtë rast, shtetasja B. L. nuk ka bërë kallëzim në Polici”, informojnë uniformat blu.
Pas hetimeve, 45-vjeçari është arrestuar nga policia e Durrësit, ndërsa në banesë u gjet dhe sekuestrua 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.
Gjithashtu, Xhelal Lokës iu është sekuestruar edhe celulari, të cilin ai e kishte fshehur, ndërsa raportohet se nuk ka bashkëpunuar me Policinë.
Ky celular, së bashku me celularin e viktimës, janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut që detyroi 41-vjeçaren të konsumonte lëndë helmuese, nga e cila për pasojë humbi jetën.
Gjithashtu, po kryehen veprime hetimore për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin/en e keqpërdorimit të të dhënave të shtetases B. L., në rrjetin social “Tik Tok”, ku u publikuan foto denigruese të saj.