Një 67-vjeçare dhe djali i saj 44 vjeç kanë rënë në prangat e Policisë së Kuçovës, pasi akuzohen se kanë shfrytëzuar djalin e 44-vjeçarit për klikime në Tik Tok.
Policia bën me dije se gjyshja dhe babai i 10-vjeçaroit publikonin në Tik Tok video të tij duke përdorur fjalë denigruese dhe banale. Bëhet fjalë për dy personazhe të njohur të Tik Tok-ut, Armando Kumaraku dhe Natasha Rombula.
Dyshja nënë e bir njihen për video e tyre dhe live-t (me fjalë banale dhe sharje) që bëjnë në Tik Tok. Uniformat blu njoftojnë se arrestimi i nënë e bir është bërë pas kallëzimit që ish-bashkëshortja e 44-vjeçarot ka bërë në polici.
Shtetasja E. A kallëzoi në dhjetor të 2023 se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social TikTok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale.
Menjëherë pas denoncimit policia regjistroi rastin dhe shpalli në kërkim dy TikToker-at të cilët u arrestuan sot.
Njoftimi i policisë
Finalizohet pas 2 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Show”. Operacioni, nga Komisariati i Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Shfrytëzonin një të mitur 10 vjeç, me qëllim përfitimin nga rrjeti social TikTok, duke postuar video të tij, me fjalë denigruese dhe banale, vihen në pranga 2 shtetas (babai dhe gjyshja e të miturit).
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas kallëzimit të marrë në muajin dhjetor 2023, nga shtetasja E. A., se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social TikTok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale, menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila regjistroi procedimin penal për këtë rast.
Si rezultat i hetimeve dymujore me metoda proaktive, u bë shpallja në kërkim e shtetasve Armando Kumaraku dhe Natasha Rombula.
Pas sigurimit të inteligjencës policore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, për vendndodhjen e këtyre 2 shtetasve, u organizua në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Shoë”.
Në kuadër të operacionit, u kapën në Sarandë, 2 shtetasit e shpallur në kërkim, të cilët më pas u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Kuçovë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Në përfundim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë ndaluar shtetasit A. K., 44 vjeç dhe N. R., 67 vjeçe, të dy banues në Sarandë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.