Është arrestuar kryetari i bashkisë Tiranë Erion Veliaj. Urdhri është dhënë nga Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion.
GJKKO ka caktuar masën e “arrestit me burg” ndaj kryebashkiakut, i akuzuar për disa vepra penale. Po me kërkesë të SPAK, mësohet se ndaj bashkëshortes së tij Ajola Xoxa është caktuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi”.
Kujtojmë se Veliaj dëshmoi në Prokurorinë e Posaçme për rreth 5 orë më datë 26 Dhjetor 2024. Ai u pyet nga hetuesit, në kuadër të një hetimi pasuror të nisur muaj më parë. Pasditen e asaj dite, ai tha nga mbledhja e Këshillit Bashkiak se “ishte denoncuar në mënyrë anonime nga një personazh që nuk ekziston”.
Në pyetje është marrë edhe bashkëshortja e tij, ndërsa më herët janë ushtruar kontrolle në banesën e tyre dhe të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj. Kontrolle të cilat u cilësuan të ligjshme nga gjykata pas ankimimit të tyre.
Prokuroria e Posaçme po heton mbi kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe familjarët e tij për dyshimet se mund të jenë përfshirë në “korrupsion pasiv” , “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim të pasurisë”.
Me anë të një njoftimi zyrtar më herët, SPAK tha se procedimi numër 27/2024, është regjistruar në datën 8 Shkurt fillimisht për veprën penale të korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, pas verifikimit të një kallëzimi të bërë sipas SPAK nga një qytetar i vetëidentifikuar si shtetasi N.A.