Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Fakultetin e Ekonomikut, në Universitetin e Tiranës, ku shefi i departamentit ka goditur vartësen e tij, Liliana Billa (Elmazi).
Mësohet se pedagogu Mirdaim Axhami ka dhunuar njërën nga pedagoget e fakultetit, ndërsa shkak për këtë dyshohet se ka qenë teza e provimeve.
Policia ka njoftuar sot se 43 vjeçari është arrestuar.
Ditën e djeshme lajmi u publikua në disa portale, me dëshmitëe studentëve që thoshin se kishin dëgjuar të bërtiturat e pedagoges së tyre, ndërsa në mure kishin parë edhe gjak.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin Mirdaim Axhami, 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi për shkak të detyrës, dyshohet se ka goditur me grusht vartësen e tij”, njofton Policia.
Konflitet mes tyre mësohet se kanë nisur për çështje inatesh dhe egosh profesionale, por që janë intensifikuar shumë në javët e fundit. Për të njëjtat arsye, rreth një javë më parë, të dy janë shoqëruar në Komisariatin nr. 1, por mesa duket konflikti nuk është shuar, madje ditën e djeshme ka degraduar deri në dhunë fizike.
Billa ka qenë deputete e Partisë Demokratike në vitet 2013-2017, ndërkohë edhe Axhami është angazhuar në PD e Berishës. Axhami ka disa dalje në aktivitetet e Berishës.