Krimi në familje tronditi një familje në një fshat të Maliqit të premten e 17 shkurtit. 77-vjeçari Shefki Bylykbashi ra në prangat e policisë, veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi i mori jetën të birit nga goditjet me sende të forta.
Viktima është 50-vjeçari Hamdi Bylykbashi, i cili mësohet se ka qenë i dehur në momentet kur ka ndodhur konflikti mes tij dhe të atit, të cilin ka dashur t’a hedhë në pusin e ujit në oborr.
Në këto kushte, për vetëmbrojtje, i moshuari e ka goditur disa herë në kohë të birin me një çekiç që përdoret për të thyer gurë.
Viktima ishte i divorcuar nga bashkëshortja dhe jetonte jashtë vendit.
Ai kishte disa muaj që ishte kthyer nga Franca. Për shkak të divorcit, 50-vjeçari kishte nisur të konsumonte alkool çdo ditë.
Ndërsa dita e premte, 17 shkurt, ka qenë fatale për të, pasi është konfliktuar me babain duke tentuar ta shtyjë në pus, ndërsa babai i është kthyer duke e goditur me çekiç.
Ndërkohë që familjarët, në polici kanë dhënë deklarime të rreme, ku kanë thënë fillimisht se viktima ishte rrëzuar aksidentalisht dhe ishte dëmtuar në kokë. Pas hetimeve, policia vuri në pranga të moshuarin.