Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka dalë sot në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ku ka bërë me dije miratimin e një ligji tepër të rëndësishëm, sikurse e quajti ai, që ka të bëjë me krijimin e një regjistri unik adresash në Republikën e Shqipërisë.
Sipas Ballës, ky regjistër do të bëjë të mundur pajisjen me një kod unik të çdo biznesi, hoteli, banese, me anë të të cilit, çdo kush që kërkon të shkojë atje, të mund ta ketë më të lehtë ta arrije këtë gjë.
Balla tha se kjo do t’i shërbejë gjithashtu edhe turistëve, të cilët do kërkojnë të shkojnë në një hotel, apo apartament me qira. Sipas Ballës, ky regjistër do të jetë nën patronitetin e Ministrisë së Brendshme.
“Disa ndryshime të rëndësishme për ligjin për ndryshmin e adresave. DO të krijohet një regjistër unik i adresave në Republikën e Shqipërisë. Në këtë regjistër do të referohen të gjitha institucionet. Ai do të jetë në patronitetin e Ministrisë së Brendshme.
Po ashtu, çdo banesë, çdo biznes, çdo ndërtesë do të ketë një kod unik. Dhe kjo na mundëson që ti japim zgjidhje përfundimtare problematikave që lidhjen me ofrimi ne shërbimeve të duhura për qytetarët.
E dyta ka të bëjë me lehtësimin e dërgimit në adresë të shërbimit postar, por edhe për sa i përket turistëve. Ne do tu mundësojmë që përmes këtij kodi unik të banesës, të hotelit apo të një apartamenti që jepet në RBNB do të jetë i arritshëm.
Adresari.mb.gov.al është vendi i duhur për çdo qytetar që ka një problematike për të gjetur një adresë të caktuar në Republikën e Shqipërisë.
Ftoj kuvendin që ta miratojë sa më shpejt për ta përmirësuar më shumë këtë sistem për të bërë të mundur që, edhe në këtë sektor ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit, sa i përket sistemit të adresave.
Ne do të punojmë fillimisht me Google e më pas me të gjitha kompanitë e tjera për të aksesuar kodin unik, nëpërmjet të cilit gjithkush do të adresohet aty ku ai dëshiron.”, deklaroi Balla.