BBC ka publikuar sot një lajm shqetësues ku shkruan se 39 fëmijë shqiptarë janë zhdukur nga qendrat ku po mbaheshin. Të rinjtë që nuk kishin mbushur akoma 18 vjeç, ishin të gjithë të pashoqëruar nga më të rritur dhe kanë kaluar kanalin e “La Manshit” gjatë muajve të fundit për në Angli.
Autoritetet vendore kanë raportuar se deri më 31 tetor 197 fëmijë shqiptarë kanë hyrë ilegalisht në Angli, ku 39 prej të cilëve rezultojnë të zhdukur.
Gazetarit britanik Simon Jones thekson faktin se nuk ka asnjë gjurmë prej tyre që prej momentit që kur janë regjistruar nëpër zyrat e emigracionit në Angli. “Për një autoritet vendor që merr rolin e kujdestarit të një fëmije, vetëm një i ri i zhdukur është shumë.Për Këshillin e Qarkut Kent, të mos dihet se ku ndodheshin 39 nga fëmijët shqiptarë për të cilët ishte ngarkuar të kujdesej, duhet të jetë jashtëzakonisht shqetësuese”, shkruan ai.
Këshilli tha se 197 fëmijë shqiptarë në njësinë e pranimit në Kent të Ministrisë së Brendshme, iu nënshtruan kujdesit nga 1 janari deri më 31 tetor. Drejtuesit e poltikave të emigracionit kanë ngritur shqetësimin se fëmijët e zhdukur mund të jenë trafikuar ose shfrytëzuar për qëllime të tjera.
Shifrat e qeverisë të mbledhura nga BBC tregojnë se 44,122 njerëz që kanë kaluar me varka të vogla deri më tani këtë vit, krahasuar me 28,461 që mbërritën në vitin 2021.
Kjo kontribuoi në mbipopullimin në qendrën e përpunimit Manston në Kent, e cila në një moment mbante më shumë se dyfishin e kapacitetit të saj, me rreth 4000 njerëz.
Pas këtij lajmi ka reaguar edhe këshilli i Qarkut Kent.
“Të gjithë fëmijët e pashoqëruar azilkërkues janë të cenueshëm ndaj shfrytëzimit… hulumtimi dhe përvoja provon se disa kombësi janë veçanërisht të cënueshme dhe mund të zhduken. Kryesisht kjo vjen si pasojë e mungesës së kujdesit të autoriteteve lokale. Këshilli i Qarkut Kent ka përdorur të dy protokollet e përcaktuara mbrojtëse, duke përfshirë Mekanizmin Kombëtar të Referimit dhe ka iniciuar strategji të shumë agjencive për të minimizuar sa më shumë që të jetë e mundur rreziqet për këta fëmijë. Këshilli vazhdon të marrë një rol proaktiv në mbrojtjen e të gjithë fëmijëve azilkërkues të pashoqëruar në kujdesin e tij,”- thuhet në deklaratë.